Alketa Misja Photography

View Original

Orosh, Mirditë. (in albanian)

Orosh Mirditë.

Ky postim i përket udhëtimit tim në Orosh Mirditë, dhe impresioneve fotografike mbi peisazhin dhe banorët. Oroshi është një fshat në veri të Shqipërisë, në Grykë Orosh pranë Luginës së lumit Fan. Përgjatë kësaj lugine është ndërtuar “Rruga e Kombit”, e cila lidh disa qëndra të banuara të Shqiperisë dhe Kosovës. Gjatë vizitës time atje (2008), Rruga ishte duke u ndërtuar, duke modifikuar në këtë mënyrë gjeografinë e vendit, si dhe shpresën e banorëve për tu afruar me qytetin. Ajo që më bëri përshtypje ishte natyra e fshatit dhe njerëzit mikrpitës. Nga bisedat me ta, dallohej krenaria për historinë dhe traditën e Oroshit, si dhe kënaqësia për ndërtimin e rrugës së re, e cila do ti jepte fund izolimit të gjatë. Të pyetur për kostumet popullore, të rinjtë nuk hezituan ti vishnin dhe të fotografen me një ndjenjë të dukshme krenarie. Ky postim është homazh për këtë fshat me natyrë të bukur dhe histori të pasur, të cilin rregjimi komunist e la të izoluar padrejtësisht.

A do të mundet Oroshi të ruajë Naturën dhe Individualitetin e vet, ndërkohë që përballet me zhvillimin dhe modernitetin që i ofrohet?

Duke dashur të dij më shumë për Oroshin, pyeta mikun tim arkitekt, Maks Kolën, i cili ka lindur në Mirditë dhe jetuar atje deri në moshën e studimeve universitare. Më poshtë po postoj intervistën time me Maksin.

Alketa - Përshëndetje Maksi. Në rradhë të parë dua të falenderoj që pranuat ftesën për të qënë pjesë e blogut tim. Mund të më thoni fillimisht, për lexuesit e blogut, cila është lidhja juaj me Mirditën?

Maks Kola - Të dy prindërit e mi janë nga Mirdita. Unë kam lindur në Mirditë, më saktë në Rrëshen, e cila është qendra administrative e Mirditës. Aty kam jetuar deri në përfundimin e shkollës së mesme, dhe më pas vazhdova studimet për arkitekturë, në Universitetitin Politeknik të Tiranës. Sot, edhe pse nuk jetoj më në Mirditë, përpiqem ta frekuentoj atë, duke mos humbur lidhjet, pasi Mirdita është pjesë e ndërgjegjes, formimit dhe sjelljes sime.

Alketa - Mund të më thoni diçka për historinë e fshatit Orosh, dhe për Kishën Abacie të Oroshit?

Maks Kola - Në fakt, Mirdita ka qënë vetëm fshati që sot quhet Orosh, më saktë Grykë Orosh, pasi Oroshi sot ka disa fshatra si: Grykë Oroshi, Mashtërkore, Lgjin, Nënshenjt, Bulsharë, Shmria, (Shën Maria) Ndërshene, Lajthiza dhe Shpërdhaza.

Oroshi është zemra e Mirditës. Është bërthama e krijimit të Mirditës së sotme, njëkohësisht qendër e rëndësishme e rezistencës antiosmane që në shekullin e XV.

Oroshi kishte cilesitë e një qendre banimi mesjetare, saktësisht Mali i Shenjtë. Madje që në mesjetën e hershme, nga shekulli VI deri në shek XII, ka ekzistuar një ansambel kishtar, me elemente të tilla urbane si: objekti i Kuvendit të Benediktit, Abacia e Shën Llezhdrit (Shën Aleksandri), shkolla Dioqeziane, disa Kisha si dhe rezidencat e fretnëve dhe priftërinjve.

Në vitin 1602, në këtë Abaci, janë mbajtur disa kuvende për tju kundërvënë sundimit otoman, pasi aty ka qenë qëndra politike, ekonomike dhe shpirtërore e krahinës së Mirditës, pjese e rëndesishme e Principatës së Arbrit.

Në këtë Abaci, vlen për tu përmendur fakti, që është ngritur një nga shkollat e para shqipe. Kjo Abaci ka patur në kohëra shumë abatë, por nuk mund të rri pa përmendur Rilindasin Prend Docin, emrin e të cilit mban sheshi qëndror i qytetit të Rrëshenit. Prend Doci ishte personalitet i madh në fushën e kulturës e të letrave, politikan, diplomat e mbi të gjitha atdhetar.

Pjesë e rëndësishme e historisë së Mirditës është edhe autonomia e saj. Ajo u shpall Republikë më 21 korrik 1911. President i Republikës ishte Gjon Marka Gjoni, bir i Derës së njohur të Gjomarkajve me seli në Orosh.

Mirdita dhe mirditorët e njohin mirë historinë e të parëve të tyre. Është pjesë e ndërgjegjes së tyre që ata të ruajnë të paprekur nga pushtuesit identitetin shqiptar, identitetin fetar, katoliçizmin, zakonet, kodet, doket, gjuhën shqipe, këngët, vallen, kuzhinën e shumë elemente të tjerë të kulturës shqiptare, e veçanërisht të Mirditës.

Alketa - Po për Kostumet Popullore dhe Zakonet cfarë mund të më thoni? Kur isha atje, të rinjtë kishin kostumet e tyre tradicionale, të cilat i veshën me shumë krenari. Mund të më thoni diçka për motivet popullore, ngjyrat, kapelet, etj.

Maks Kola - Mund të them shumë për të gjitha këto elemente që përmenda më lart, por doja të ndalesha pak tek veshjet që janë nga më të vjetrat, ku dhe sot ruhen me fanatizëm. Disa nga këto elemente të veshjeve janë: këmisha e bardhë si për burra ashtu edhe për gra, të cilat në pjesën e gjoksit dekoroheshin me shumë fisnikëri dhe finesë, duke përdorur motive të ndryshme që lidhen me besimin. Brezi me trema, straveca, xhupi i cili ka një dekor me motive të besimit katolik siç është kryqi dhe motivet kombëtare siç është shqiponja por e stilizuar.

Element tjetër dallues që e bën të veçantë gruan mirditore është edhe frizura. Mënyra e mbajtjes së flokëve tek femra mirditore dhe mbajtja e shamisë, tregon statusin e tyre. Kjo lidhet me stilin e mbretëreshave të kohës ilire.

Çorapet, ku në to, nëpërmjet motiveve, zhvillohet krijimtaria artistike e kësaj femre. Ngjyra dominuese në veshjet e krahinës së Mirditës, është e kuqja dhe e bardha, por nuk mund të lë pa përmendur shaminë dhe xhaketën e zezë të grave  mirditore, të cilat u bënë të zeza në shenjë zie pas vdekjes së Skënderbeut.

Kësula e burrave është e veçantë. Ajo ka formën konike të prerë. Tirqet e zbukuruara me gajtanë të zinj të leshtë, bashkë me jelekët e kuq e me motive të ndryshme, e bëjnë këtë veshje, aq unike sa ka tërhequr edhe mjaft studiues të huaj.

Alketa - Maksi, shumë faleminderit për spjegimet mjaft interesante mbi Oroshin dhe Mirditën. Të uroj shumë suksese në punën tuaj.

Mars 2019

Lugina e Lumit Fan, Mirditë, përgjatë së cilës është ndërtuar Rruga e Kombit © alketa misja photography 2008

Lugina e lumit Fan, Orosh, Mirditë, fragment gjatë ndërtimit të “Rrugës së Kombit” © alketa misja photography 2008

Grykë Orosh, Mirditë, fragment rruge © alketa misja photography 2008

Abacia e Oroshit, Kisha e Shën Aleksandrit, Grykë Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Abacia e Oroshit, Kisha e Shën Aleksandrit, Grykë Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Grykë Orosh, Mirditë, © alketa misja photography 2008

Orosh, Mirditë, © alketa misja photography 2008

Orosh, Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret vajze me kostum popullor, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret djali me kostum popullor, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret vajze, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Lule fushe, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Lule egër, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Lule egër, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Grykë Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Lule fushe, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret vajze, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret djali, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret i dy vajzave, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Lule fushe, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Lule fushe, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret i dy djemve, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Portret djali, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Grykë Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Bari duke u kthyer nga kullotat, Orosh Mirditë, © alketa misja photography 2008

Fragment ndërtimi rruge, Orosh, Mirditë, © alketa misja photography 2008

Vargmale shqiptare, Orosh, Mirditë © alketa misja photography 2008